Çaste poetike me poetin:-Rudi BERISHA

KUR TË JEM TRETUR E JETOJ NË VARRE
—————————————————-
Ditët i kaloj, unë i heshtur po rri,
Forca ime është ngjyra e lapsit.
Atë e kam armën time më të fortë,
Që përditë arkivoj gjurmët e hapave të mi.
Edhe kur trupi mua të më tretet,
Atje diku, në mes të të vdekurve,
Ju sërish do të më kërkoni në tokë,
Por më gjeni vetëm të shkrirë në vargje.
Fjalët e vargjeve të mia janë ngjitur te ju, lexues,
Në shpirtin tuaj kanë lindur si një bari i vjetër.
Aty do të kenë rrënjë e do të ujiten me gjakun tuaj,
E do të jetojnë të ngulitura përherë brenda jush.
Koha po më kalon shpejt e herë më ngadalë,
Por letrat e bardha po i mbush me shkronja,
Me ngjyrën e shpirtit tim, me ngjyrën e jetës,
Që të jenë ditari që do ta keni ju në biblioteka.
Kur të jem tretur si trup e të jetoj në varre,
Kur shpirti im të jetë në qiellin e bukur, të kaltër,
Atëherë të gjithë ju, miqtë e mi do të më gjeni,
Të përqafuar e të pluhurosur në vargjet e mia.
Nëse dikush do të qajë atë ditë për mua — poetin,
Dua që atë lot ta derdhni mbi dhéun e varrit tim.
Brenda varrit do të vijë ajo pikë loti nga ju, lexues,
E shtrati i dhéut do të më zbutet nga lagështia e lotëve.
Nëse do flisni një fjalë të mirë për mua në ditë-kujtimi,
Mos harroni të përkujtoni edhe dobësitë e mia.
Kur ngjyra e lapsit më është bërë si gur i rëndë kritik,
Këtë kujtojeni, për nder të vërtetës së vargjeve të mia!
/QendraPress/