Çaste poetike me poetin;-Qazim THAÇI

Poezia që u vlerësua me vendin e tretë në konkursin letrar’’’Ajkë e Mjaltë’’
Në frymën e katër stinëve-
/Kushtuar Ukshin Hotit/
——————————–
Zëri i lirisë, si këmbanë në mjegull,
mat dhembjen me fije drite,
si kumt që zgjon rrënjët e gurit nën
hijen e maleve të pashtershme.
Anekënd fushave bie dushku,
edhe para se vjeshta të marrë frymë,
si dëshmi se dhembja s’ka stinë —
ajo frymon në katër udhë të motit,
në katër frymë të njeriut që s’përkulet.
Kur Pashtriku lëshon mjegullën e kujtesës,
vetëm lulëkuqet qëndrojnë gjallë —
rrënjët e tyre pinë gjak të shenjtë,
nga zemrat e dëshmorëve të Përdrinsë atdhetare,
ku Kushtetuta e Ukshin Hotit rri si gur themel,
dhe kënga e Muhamet Malsorit
si flakë që s’ka shuarje.
Kur qëndrimi bëhet këngë,
e kënga rritet në legjendë,
zogjtë e maleve risjellin pranverën
si kujtim të përjetësisë,
se kafkat e legjendave flasin
me gjuhën e artë të sakrificës,
duke matur historinë e dhembjes
me rrahjet e zemrës sonë.
Jo vetëm për një shekull,
as për një jetë të vetme —
por Kushtetuta dhe kënga,
si dy krahë të të njëjtit komb,
na përcjellin nga brezi në brez,
në histori — për të mbetë
si fjalë që s’shuhet,
si gjak që s’harrohet, si dritë që s’ka perëndim.
/QendraPress/