FC Liria për ndarjen nga jeta të Adil Ajazaj: Ishte pjesë e historisë sonë

Liria e Prizrenit ka shprehur pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit të saj, Adil Ajazaj, i cili u shua pas një sëmundjeje të rëndë në mërgim.

Ajazaj ishte pjesë e gjeneratës së viteve ’80 të klubit, ku si talent i ri u bashkua ekipit të parë dhe dha kontribut të çmuar me përkushtim dhe pasion për fanellën bardh e zi.

“Adili ishte më shumë se një lojtar – ai ishte pjesë e historisë sonë, një shembull i përkushtimit dhe dashurisë për sportin dhe qytetin,” thuhet në mesazhin e ngushëllimit të klubit.

“FC Liria i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ajazaj, miqve dhe të afërmve të të ndjerit, duke përkujtuar me nderim figurën e tij si sportist dhe njeri”.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të.”