Çaste poetike me poeten;-Blertë Tmava VESELAJ

Fotografia e fëmijërisë
———————————
Foton e vjetër e mbaj në duar,
Pas shumë kohësh e gjeta rastësisht.
Sikur ishte fshehur nga unë gjithë këtë kohë,
Për ta gjetur sot që të lundrojë në fëmijëri.
Atje ku gjithçka ishte e veçantë
Ku gabimet fshiheshin me një më fal
Ku balta shijonte si ëmbëlsi,
E duart i ngrohnim pranë zjarrit në shtëpi.
Atje ku koha s’kishte ngut,
Dhe ditët vinin me aromë buke,
Ku zemra qeshte pa e ditur pse,
E dhimbjet shuheshin në një përqafim pa lutje.
Tani e shikoj dhe ndalem në kujtime
Fëmija aty më ngjan kaq i largët,
Por diku thellë ajo ende jeton,
Në çdo kujtim që heshtur më thërret sonte.
/QendraPress/