Çaste poetike me poetin;-Llesh GJOKA

A JEMI NË RRUGË, ANDEJ NGA S’MUND TË KTHEHEMI?!
———————————————————————–
A jemi në rrugë, andej nga s’mund të kthehemi?!
A po çapitemi të përhumbur si dy bohemë?!
Nganjëherë ti më sheh çuditshëm.
Me sytë picërrues si dy zgavra
Apo tunele, ku koha fshehu stuhitë.
A jemi në rrugë, andej nga na sheh dielli?!
Veriu është këndej kah duken kreshtat.
Prej mallëngjimit jemi rritur shumë.
A duhet të matemi me madhështinë e tyre?!
Jo, ne mund të shembemi, malet jo kurrë.
A jemi në rrugë, andej ku na çojnë gjurmët?!
A po ecim trasesë së muzgut atavik?!
Ti më sheh dhe më tregon shëmbëlltyrën
e një ore që s’ndalon.
Më tregon kohën kur duhet ta ndalim ritmin.
A jemi në rrugë, andej ku na kqyr hëna?!
O zot, sa paskemi ecur!
Gjymtyrët i paskemi vrarë dhe s’ndihemi.
E dimë se mitet janë gjallë si një shkëmb.
Rrugës që lamë pas më s’mund të shihemi.
A jemi në rrugë?
A jemi gjallë në vendin ku zdrit dielli?
A jemi pasqyrë shpirti në vendin ku kqyr hëna?
A jemi në rrugë?!…
ll@gjoka
/QendraPress/