Çaste poetike me poeten:-Majlinda HOXHA

Pemë vjeshte!
————————
Sa do te doja
një pemë e bukur
vjeshte të isha —
me gjethe që digjen ngadalë
në nuanca flake,
si puthje që s’i dhame kurrë.
Të qëndroja aty,
në një cep rruge,
nën dritën e zbehtë
të diellit të tetorit,
e lartë, e qetë,
e bukur në vetminë time.
Dhe ti të më shikoje.
Vetëm kaq.
Të më kundroje me sytë e një besimtari,
që sheh një mrekulli
dhe nuk guxon të afrohet.
Të më adhuroje pa zë,
siç adhurohen vetëm perënditë —
pa fjalë,pa duar,
pa më shkelur hijen,
pa më tronditur rrënjët.
Dashuria jote të vinte
si një frymë ere,
që luan me gjethet,
por nuk i shkul.
Unë të rrija aty,
e gjelbër nga kujtimi i verës,
e kuqe nga djegia e ndjenjave,
duke rënë ngadalë,
në një heshtje
që s’është vetmi,por paqe.
Dhe ti të ikje,
pa më marrë asgjë.
Të ikje duke ditur
që më kishe dashur saktë,
ashtu siç duhen
gjërat që nuk na përkasin —
në distancë,me përulësi,
me sytë plot dritë.
/QendraPress/