Çaste poetike me poeten:-Adelina Dardha HASKAJ

Në çudibërje
————————-
Je huazuar e tëra,
bimët të zvarriten fjalëve,
e pranishme është mungesa e gjatë e vetes.
Prangat, të lëshuara përgjysmë mbi lirinë,
tërheqin hijet e poezive të çuditshme
që të bëjnë hije nën qerpikë.
Përplasje,
frymë,
mbetje në hatër,
pak dritë,
përplasje që nuk të vijnë.
Në tulatje,
mbi gjembat e një iriqi,
të është mbledhur top
ngulçima e fundit e ditës.
E mban peshën e vetes.
Je rënduar,
kalimet e moshës të shkasin
nga shiu që paralajmërojnë
sinoptikët të bjerë…
/QendraPress/