Çaste poetike me poeten;-Valbona HADRI

Fytyra pa shpirt
—————————
Të pafytyrët ndryshojnë pamjen
si hëna nën re.
Vizatojnë një buzëqeshje në fytyrë,
flakun portretin e Jagos, duke shpalosur engjëllin.
Të pafytyrët
ndryshojnë gjatë ditës
me buzëqeshjen, pamjen,
edhe shprehjet i ndërrojnë me shpejtësinë e erës.
Ngjyra e tyre s’është kurrë e njëjtë,
herë gri e herë e ndritshme,
sipas interesit që u ndrin përpara.
Të pafytyrët
zvarriten me durim gjarpri,
gëlltisin përbuzjen,
përpijnë fyerjen,
veç për një copë privilegj,
për një hije pushteti, për një vështrim mëshirues.
Pastaj, kur fryn era e lavdisë,
ngrihen kokëlartë e të zbrazët,
fshehen nëpër skuta
si minjtë pas furtunës,
duke dërguar lajme të pavërteta
te ata që u dhanë pushtetin.
Sa të mjerë janë, të pafytyrët,
që ndërrojnë maskat,
por kurrë s’mund të gjejnë paqen e shpirtit.
/QendraPress/
 
                                            
