Fryma poetike e së dielës me poeten;-Shkurtë Kadriu ÇITAKU

Sexhadja
————————
Të falem, o Zot,
Për ngjyrat e shpirtit
Që kanë marrë nuanca të zbehura,
Kur dëgjoj zëra të çjerrë,
Llum me fjalë boshe,
Dhe shoh buzëqeshje aq cinike
Në tokën e askujt.
Të falem, o Zot,
Se jam pak e vagullt në mendje,
Për luftërat e njeriut
Që padrejtësisht
Vrasin njeriun
Dhe shkelin me majë e thembra në shpirt.
Të falem, o Zot,
Se nuk e di nga t’ia nis,
Tek shoh udhët që bien teposhtë,
Me to dhe unë, në këto humnera të buta
Që tinëzisht ftohin shpirtin.
Të falem, o Zot,
Teksa heqim shallin rreth qafe,
Duke ndjerë një liri,
Atë që nuk mund ta shohim të gjithë.
Të falem, o Zot,
Që unazat e kohës
Shtypin rrathët e jetës,
Përderisa, mbështetur në mur,
Shoh sexhaden e nanës
Dhe ndiej se më verdhërohet shpirti.
/QendraPress/