Çaste poetike me poeten:-Kumrie Avdyl SHALA

TË PËRVËLOJNË STINËT

—————————————-

Jeta është e padrejtë.

 Nganjëherë marrim rrugën pa dije,

e s’e dimë se ku do të na shpijë.

Pas disa dekadash, historia do

 të dëshmojë të vërtetën,

sikur për vdekjen e kalit.

Burgu u bë fole për ideatorët e shtetit,

edhe pse jeta shpesh gjykon

 gabim për vdekjen.

Në këta muaj të nxehtë të stinëve,

 kur vapa të përcëllon, e vuajtja për

hekurat e atyre që u flijuan,

të djeg në shpirt,

e ti plase në heshtje nga malli,

sepse jeta është e padrejtë

në këtë shekull.

Të përvëlojnë muajt e stinëve,

 e më shumë të plas malli.

 Sa e sa vite ikën,

 e nuk po i shoh buzëqeshjet,

as kaçurrelat e çlirimtarit tim.

Jeta është e padrejtë.

Toka kundërmon ende gjak të freskët,

 gjak dëshmorësh që moshën

 më të bukur ia falën Kosovës.

Pas vetes lanë prindër të shtyrë në moshë,

lanë vëllezër e motra,

bashkëshorte nuse i lanë,

e fëmijët si krimba mëndafshi,

që tani janë bërë burra,

 e që injorohen nga shteti.

 Kanë harruar pushtetarët

 se liria erdhi nga heronjtë,

 nga invalidët, nga të dhunuarit,

 nga martiret, e nga të zhdukurit tanë,

 që ende nuk ua dimë as varret.

E sot?

 Ne po e gëzojmë lirinë,

 po hedhim vallen në qendër të qytetit,

ndërsa pushtetarët nuk kthejnë kokën fare,

 nuk pyesin vallë a lanë çlirimtarët kënd pas vetes.

 Prandaj, jeta është e padrejtë për dijetarët.

O Zot, na ruaj prej rrezikut të

 tradhtarëve e të pabesëve!

/QendraPress/