Çaste poetike me poeten:-Flutura YMERI

Kambanat e pendimit

————————————-

Shpirti plasaritur si tokë e thatë,

Mjegull ikonash të pajetuara ndonjeherë!

Mendimet kafshojnë njëri-tjetrin:

Vendi im, përse më dukesh i mjerë?

Në dej nuk po rrjedh më gjak,

Më fal nëse të kam hyrë në hak!

Përse më dukesh kaq plak…

M’u thaftë gjuha, për ty u djegsha flakë!

Qirinjtë e shpresës ndez çdo ditë!

Ku humbi vallë nuri yt?

Si lis i kërrusur qëndron në këmbë.

Përse plaga jote kaq shumë më dhemb!

Kanë lajthitur kohët apo ne?

Ikim. Ku vemë? Mbetëm pa Atdhe!

Gjaku i të parëve s’do të kujtohet më,

Ninullat në djepe s’do të kenë më zë!

Këtë copë tokë Zoti na bëri dhuratë!

Mëmëdheu im lenhonë në shtrat!

Në vise të tjeta shtegtojmë ,

Shpirti nuk na gjen rehat…

Kohët me fanatizëm të ruajnë emblemë,

Një botë të tërë ke vënë në dilemë!

Për ty – Atdheu im – në gjunjë lus perënditë:

Kambanat e pendimit pa meshirë do bien një ditë!

/QendraPress/