Çaste poetike me poeten;-Barie ÇUPI

Që të bëhem vargu yt.

———————————

Libër,jetë,

forca shkundëse e një gjuhe,

të thënë,

të nxjerrun nga brendia e një shpirti.

…

iu përula kopertinave të tua,

hënës,xixëllonjave,

u enda e përhumbur pas metaforave,

si një predikuese në kërkim të hyjnores,

u dëboj ëndrrave frikën zakonore,

fjalëve lojën me një ngjeshje të pezullt kuptimi,

me një sqimë syri shmang dilemën.

…

duhet jetë,them,

që të bëhem vargu yt,

duhet ndjenja ime,

më sfilitet pashmangshëm dhimbja,

loti si dallgë në bordin e viteve,

veshur me vjeshtë kam rrugët,

këtu e tash sa vjet,

në faqen e parë,

të librit të parë,

brendësia e një zëri që

zgjon konturet e pranverës,

hapet një kanatë,

pastaj një bibliotekë,

një superdritë,

një identitet.

…

pirg librash,

mbretëron poezia,

nga zgavër e padukshme e trurit,

në copash shqyhet errësira,

currila vargjesh,

libër,jetë,

sa larg na shpie,

lupë që sheh përtej yjesh,

mëngjesohesh ngjyrash,

e derdhesh ujvarë mbi fletë.

/QendraPress/