Çaste poetike me poeten;-Fatbardha Xhani MYSLIMAJ

FRIKËRA DASHURIE
—————————–
Ti nuk e di pse unë hesht gjatë
Sa herë nga larg më ngre dorën e më flet
Malli yt, si thëngjijtë ndizen, sa herë fryn era
Fshin hirin e ngeljehatrit a të pendesës…
Kujtimesh flakëron qielli i nëntorit mbi re
Sikur don të kujtojë dashurinë e heshtur
Atë të bukurën që zien valë në akullin
E një stine të ftohtë, që avullon e djeg…
Ti nuk do ta dish pra, pse përgjigje s’merr!
Rri e sodis me duar vizat e qiellit rozë
Si rrudhat mbi buzët e mia, i fsheh buzëqeshja
Ndaj qesh shpesh, mbuloj moshën me gaz…
Pastaj fsheh duart me njolla në xhepat e mi
Qafën mbuloj me shall tê kaltër mëndafshi
E rrobat e lirshme maskojnë tepritë në bel…
Unë hesht, bëj siç bën vjeshta vit për vit:
Zverdhem e skuqem, piqem e zbutem
Joshjen sajoj me ditët e harruara tê moshës…
Edhe pse në secilën ditë që kalon heshtazi
Lexoj një thinjë të bardhë mbi tëmtha
Dhe thërras me kaq mall dashurinë
Të vijë e të më komfirmojë bukurinë
Me një pëshpërimë gjethesh që bien…
/QendraPress/