Çaste poetike me poeten;- Bukurie BUÇPAPAJ

UNË BIJA E MALSISË

———————————

Një varg, një betim për ty atdhe,

jam zë i harruar si kënga e luftëtarit,

O shpirtit i flas krenar, se sot kam le,

Zani i shqiponjës, betim i shqiptarit.

Hej, jam bijë e Malsisë së Gjakovës,

me germa zemre, hymn i këndoj Shqipërisë,

Atje mbi ajrin e më t’bukurit e Tropojës,

Aromën bjeshkëve ia sjell poezisë.

Rrjedh Valbona në vargje bukurane,

Drinit i bashkohet me nur, krenari

O Malsi e mirë, je bekim prej nane,

Unë bija jote lartësohem me ty.

I thërras Shkelzenit prej Gollakut,

Amanetin e bacës Adem jehonë e përcjell,

Jam çika e Krasniqes,derë e bajrakut,

Bashkimit kombëtar, i shkruaj përherë.

Kulla e Mic Sokolit, Fortesë historie,

Në Prekaz e ka nisë një kushtrim lirie,

Në Boletin te Isa ka marrë betimin,

Në Krujën e Kastriotit ta bëjmë bashkimin.

Malet u drodhën nga amaneti,

Mitrovica ka rreh telin e çiftelisë,

Atje në Vlorën e Ismail beut,

Mbledh trimat mbi varre të Çamërisë.

Po ty o Sanxhak kurrë s’të harrova,

se nga loti i babës për ty mësova,

Në Hot e Grudë kam gjakun arbëror,

Varret e të rënve, klithma lëshojnê.

Medvegja , Bujanoci janë trojet e mia,

Aty ku qyqja kukat pandalë,

Shkupi, Tetova emblemë nga iliria,

Fjalën kanë pushkë e kangën vaj.

E moj dorë sa dhimbshëm shqiprove,

thonë se gjuha shkon aty ku dhëmbi dhemb,

Me shekuj o atdhe u preve, u coptove.

E nuk ka forcë që të përkul e të shëmb.

O jam nji zanë e lindur në lashtësi,

Emrin e kam pagëzue Shqypni,

Sot, dje, shekujve me radhë,

Botës krenarisht i thashë”

“Jam Shqiptare”

Me te drejtat e autorit

/QendraPress/