Forcim i bashkëpunimit kulturor Kosovë–Shqipëri në Gjirokastër.

Sot në Gjirokastër, në kuadër të Javës së Kulturës në Shqipëri, u zhvillua takimi zyrtar ndërmjet delegacionit të QRTK Prizren dhe QRTK Gjilan me drejtorin e DRTK Gjirokastër, z. Ardis Duka.

Takimi u mbajt në frymën e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit profesional, me fokus të veçantë në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Gjatë diskutimeve u trajtuan përvoja konkrete në restaurim, konservim dhe menaxhim të monumenteve të trashëgimisë, duke u hapur mundësi të reja për projekte të përbashkëta dhe bashkëpunime afatgjata mes institucioneve tona.

Drejtori i QRTK Prizren, Samir Hoxha, theksoi: “Bashkëpunimet ndërinstitucionale mes qendrave rajonale në Kosovë dhe institucioneve homologe në Shqipëri janë thelbësore për forcimin e standardeve profesionale në trajtimin e trashëgimisë sonë të përbashkët.”

Drejtori i QRTK Gjilan, Arton Hoxha, u shpreh: “Shkëmbimi i përvojave praktike në konservim dhe restaurim është një vlerë që na ndihmon të avancojmë qasjet dhe metodat tona.”

Drejtori i DRTK Gjirokastër, Ardis Duka, potencoi: “Jemi të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin profesional dhe të ndërtojmë projekte të përbashkëta që i shërbejnë trashëgimisë dhe komunitetit.”

Pas takimit u organizua ceremonia e hapjes së ekspozitës në Kalanë e Gjirokastrës, ku ekipet profesionale të QRTK Prizren dhe QRTK Gjilan ofruan prezantime dhe shpjegime për përmbajtjen e ekspozitës.

Ky aktivitet shënon një moment të rëndësishëm në konsolidimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në krijimin e platformave të përbashkëta për zhvillimin e politikave të trashëgimisë kulturore në nivel rajonal./QendraPress/