“KTHINAVE TË JETËS” TË POETES HYRIJE JUSUFI – Nga: Rami KAMBERI

HYRJE

Libri me poezi “Kthinave të Jetës”, i poetes Hyrije Jusufi, është një mozaik i ndjenjave njerëzore të shprehura përmes një lirizmi të thellë, rrëfyes dhe shpesh tronditës. Poezitë e saj lëvizin ndërmjet:

• intimes dhe universales,

• ndërmjet rrënjës familjare dhe plagëve të kohës,

• ndërmjet dashurisë femërore dhe vuajtjes që ajo shpesh e trashëgon.

Përmes vargjeve, poetesha na e hap kthinën e shpirtit të saj, duke na ftuar në një udhëtim emocional ku humbjet, kujtimet, protesta, dashuria dhe identiteti i gruas ndërthuren me një estetikë të ndjeshmërisë së pastër.

Dhe, po të lexohet me ndjenja njerëzore, ky libër me poezi, shihet qartë se mes poezive dominojnë emocionet e poetes dhe, tematika e librit përmes disa poezive, duket se është e fokusuar në tre shtyllat kryesore të krijimtarisë poetike të poetes Hyrije Jusufi, si:

• Poezia e kujtesës familjare,

• Poezia e dashurisë dhe zhgënjimit,

• Poezia e revoltës sociale dhe identitetit femëror.

Pra, janë tri tema, që na udhëzojnë për të kuptuar interpretimin e plotë të botës poetike, që autorja e krijon librin poetik “Kthinave të Jetës”. Dhe mund të lexohen dhe të ndjehen, si:

• sakrifica si mit i pashlyeshëm,

• babai si moral dhe atdhe,

• gjeneratat e sakrifikuara të grave,

• ironia e shpëtimit të vonuar,

• lufta me veten pas braktisjes,

• mbijetesa e dashurisë,

• sfidomi i turpit të imponuar,

• shqiptimi i revoltës ndaj patriarkalitetit

• protesta kundër padrejtësive sociale.

ANALIZË E POEZIVE TË PËRZGJEDHURA

1. Poezia e Kujtesës Familjare

Poezitë:

“Nënë”,

“Kujtimi për babanë”, dhe

“Aromë kohësh”.

Janë poezi, që përfaqësojnë boshtin emocional të librit, ku kujtesa familjare bëhet edhe kujtesë shpirtërore.

“Nënë”

Në këtë poezi, figura e nënës paraqitet si themeli i dashurisë dhe përkushtimit. Vargjet:

“Ti bëre aq shumë për ne / Netët e gjata i sfidove / Nuk u takove as me gjumin”

e ndrisin nënën në nivelin e një qenieje të shenjtëruar, të një stoike që e ka bartur jetën mbi supe. Poetesha vijon t’i kthehet borxhit moral, një temë e shume e përsëritur në letërsinë shqipe, por te poetja Hyrije Jusufi, shfaqet e përmbajtur dhe, e brishtë. Ndjenja e fajit, dorëzimit dhe mirënjohjes e përmbyll poemën, duke e bërë nënën një figurë të amshuar.

“Kujtimi për babanë”

Poetja e sheh babanë jo vetëm si prind, por si kod moral, si simbol të thjeshtësisë, punës, urtësisë dhe atdhedashurisë.

Në vargun:

“Si dielli i atdhedashurisë / Rrezatim po falje”,

poetja e krijon një vijë lidhëse midis babait dhe tokës, duke e bërë figurën e tij, një shtyllë identiteti.

Poezia është një elegji e gjatë, ku rikrijimi i imazhit të babait është një akt shërimi. Maji, muaji i gjallërisë, bëhet metaforë e ringjalljes së kujtimeve dhe dhimbjes së humbjes.

“Aromë kohësh”

Poetja përmes figurës së hallës e trajton një temë të rëndësishme: strategjitë e mbijetesës emocionale të grave në kohë patriarkale.

“Të varrosën së gjalli / Fëmijë, nuse e plakë / I njëjti varr”.

Ky është një varg, që bart peshën e një epoke të tërë të mohuar, duke e kthyer hallën në simbol të gruas së privuar nga arsimi, zgjedhja, jeta dhe liria për dashuri.

Kjo poezi, ndërtohet në formën e një rrëfimi dhe proteste, duke u bërë një nga poezitë më sociale të librit.

2. Poezia e Dashurisë dhe Zhgënjimit

Libri përfshin edhe një cikël të gjatë poezish dashurie, shpesh të ngritura mbi brishtësinë, zhgënjimin, fajin dhe krenarinë.

“Kur më gjete”

Në këtë poezi, poetja rikrijon figurën e tjetrit, si njeri të lodhur, të humbur, të pavend, që hyn në jetën e saj si kërkues faljeje e shpëtimi. Por zhgënjimi vjen shpejt:

“Ke bërë mëkat o njeri me syrin mashtrues / E nuk do ta lash kurrë hakun”

Pra sipas vargjeve shihet qartë, se poezia se është një poezi e mbushur me tension, e ndërtuar mbi dy pole:

Butësinë, dhe

hakmarrjen etike.

Ngase aty ku dashuria ka lënë zbrazëti, poetesha ndërton dinjitet.

“Ta dish”

Kjo poezi paraqet një monolog të brendshëm, ku poetja diskuton me veten, me Zotin, me kujtimin. Ka një ton introspektiv filozofik, që shpreh ankthin e zhgënjimit dhe uljen e vetëvlerësimit:

“Po çfarë faji kam unë / Apo kjo zemër e dalldisur”

Por sipas vargjeve, mbi të gjitha, është poezi e pranimit dhe e çlirimit.

“Në ëndërr të pres krahëhapur”

Poetja në këtë poezi, e ndërton një dimension onirik, ku dashuria mbijetojnë vetëm brenda ëndrrës. Dita është armiqësi, nata prehje. Kjo poezi shpalos kualitetin të madh në krijimtarinë e poetes Hyrije Jusufit:

dashuria si plagë, dhe

si shpëtim.

3. Poezia e Revoltës Sociale dhe Identitetit Femëror

Disa nga poezitë më madhështore, janë ato poezi, ku poetja e humb butësinë dhe, na ngrihet me një zë proteste.

“Kërkim(falje) njeriu”

Kjo poezi është një akt akuzues kundër një bashkëshorti narcisit, dhe, në mënyrë më të gjerë, kundër një sistemi që skllavëron gruan.

Vargu:

“Narcizmi yt… më futi shpirtin në ngjyra të errëta”

na e paraqet martesën si burg, jo si bashkim. Ndërsa poezia e mbyll pyetjen universale:

“Pse vallë nuk do të ketë një falje njeriu?”

Varg që mbetet pezull, mbi gjithë poezitë, si thirrje për drejtësi.

“Ajo” (në vend të përgjigjes)

Këtu poetja i përgjigjet dhunës verbale dhe poshtërimit me një qëndrim të prerë:

“Në isha debile unë njëherë / Tash e ke radhën ti”

Një poezi që përmban frymë emancipuese dhe refuzim të viktimizimit.

“Atdhe…”

Në këtë poezi të gjatë me vargje, Atdheu na shfaqet si plagë, si vend i dhimbjes dhe i gabimeve kolektive. Poetja i shpalos vargjet më të fuqishme politike:

“Se po turpërohesh nga armiq shqipfolës”

dhe e ndërthur dramën personale me fatin e vendit. Në këtë poezi, identiteti kombëtar merr formën e një klithme.

PËRFUNDIM

Libri “Kthinave të Jetës”, i poetes Hyrije Jusufi, është një rrugëtim emocional, estetik dhe shoqëror, që shpalos:

• dhimbjen,

• humbjen,

• dashurinë, dhe

• revoltën e një gruaje.

Poete që shkruan me shpirt dhe me guxim. Ndaj lirshëm mund të themi se poezitë e saj përbëjnë një lloj autobiografie shpirtërore, ku secili varg është një copë e jetës së autores dhe një pasqyrë e jetëve të shumë grave që ndajnë të njëjtin fat.

Pra, poetesha krijon një letërsi të drejtpërdrejtë, të sinqertë, ku figura e nënës dhe, babait marrin dimensione mitike; dashuria shpesh kthehet në zhgënjim, por kurrë në dorëzim; ndërsa identiteti i gruas, i nënës dhe i atdheut, marrin trajta proteste të një lartësie morale.

Kështu që, libri poetik “Kthinave të Jetës”, i poetes Hyrije Jusifi, është një libër poetik, që nuk lexohet, por një libër që përjetohet. Ngase është një dëshmi e forcës së brendshme të njeriut që, edhe kur bie, ringrihet në emër të dashurisë, kujtesës, dinjitetit dhe shpresës.

Në këtë mënyrë, poetesha Hyrije Jusufi, dëshmohet si një zë i rëndësishëm i poezisë bashkëkohore shqipe, që guxon të thotë të pathënën dhe të shndërrojë dhimbjen në art./QendraPress/