JETA PA KOMPLEKSE, ËSHTË FORCA E NJERIUT TË VËRTETË;- Kumrie Avdyl Shala.

Nëse dëshiron të mos plakesh shpirtërisht, mëso të jetosh pa komplekse.
Jeta është e bukur kur je vetvetja, edhe pse rrugëtimi i saj shpesh është i vështirë, i gjatë dhe plot sfida. Në këtë udhë përballesh me stuhi, pengesa dhe zhgënjime, por në fund fiton, sepse e vërteta gjithmonë triumfon. Zoti nuk vonon kurrë për atë që ecën drejt.
Njeriu nuk duhet të fshihet pas forcës, pas dijes apo pas emrit të dikujt tjetër. As pas partive, pushtetit apo pozitave. Sepse kur vjen çasti i pyetjes së madhe “Kush je ti dhe çfarë ke bërë?”, atëherë mbetet vetëm e vërteta dhe vepra.
Qëllimi i jetës është të ndërtosh diçka të vlefshme, të lësh pas gjurmë të mira dhe të kontribuosh për të tashmen e për të ardhmen. Kjo është pasuria më e madhe e njeriut dhe themeli i një shoqërie të shëndoshë.
Formimi i identitetit dhe personalitetit është po aq i rëndësishëm sa dokumentet që mbajmë me vete. Sepse gjithçka e bukur buron nga shpirti, por edhe e keqja po aty lind. Kur e njeh veten dhe qëndron i drejtë, e ke ndërgjegjen të qetë dhe nuk ke nevojë t’i japësh llogari askujt.
Gënjeshtra, shpifja dhe lajkat nuk ndërtojnë asgjë të qëndrueshme. Ato kanë jetë të shkurtër, siç thotë populli “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. Prandaj gënjeshtra mbetet rrënja e çdo poshtërimi.
Për të jetuar në paqe, duhet guxim, korrektësi dhe vendosmëri. Duhet të jesh i sinqertë me veten, i drejtë me të tjerët dhe i palëkundur në fjalë e në veprim. Vetëm kështu arrihet suksesi i vërtetë dhe ruhet dinjiteti njerëzor.
Kush fshihet pas të tjerëve, humb ekuilibrin dhe mbetet bosh. Ndërsa ai që e vë dorën në zemër dhe kupton se edhe të tjerët ndjejnë njësoj, mëson të jetojë me respekt e mirëkuptim.
Ne jemi krijesa njerëzore, të veçuara nga Zoti me arsye. Secili ka rolin e vet në jetë, por të gjithë kemi përgjegjësi të përbashkët: të mendojmë bukur, të veprojmë drejt dhe të kontribuojmë për shoqërinë.
Le të zëmë vendin që na takon, le të kuptojmë hallet e njëri-tjetrit dhe të ndërtojmë një shoqëri më njerëzore. Vetëm kështu ruajmë shëndetin shpirtëror, forcojmë identitetin dhe jetojmë në paqe. Jeto pa komplekse se jeta do të të shpërblejë me qetësi, dinjitet dhe jetëgjatësi./QendraPress/