Fryma poetike e së dielës me poetin;- Skender BERISHA

NË FUND TË VITIT         

—————————-

U ndehën gumëzhimat urimet

për një fillim të ri

ranë këmbanat

shterrofshin shtrëngimet

zemrat ndjefshin gëzime që s’i patën

u shtofshin bekimet risht

buka u shtoftë në sofra

shtrëngime duarsh u shtofshin

edhe përqafime të ngrohta

dashuritë marrshin flatra të reja

drejt punës së frytshme shtegëtofshim

çerdhe të reja u ndërtofshin

kallinj të rëndë mbulofshin këtë tokë

zogj të rinj fluturofshin qiellit të ri

paqa këndoftë në shpirtërat tuaj

mbi lëndinat e lira kënga e lirisë jehoftë

arritshi aty ku synoni

paqësisht o paqësisht

ugare të reja prej duarsh të forta

hambare plot

zemrat plot e plot

diell i paqtë re që flasin për shi

shi për begati

u thafshin ndjellat e mbrapshta

mendja e keqe shterroftë

u mbushshin puset

ujë shërues për sytë tanë

dritë u shtoftë anëembanë

blerimi gufoftë skutë më skutë

lisat u rritshin drejt qiellit

At-Dheu u forcoftë

koci i vjetër me të riun

u bekoftë o Zot

31 dhjetor 2015,Prizren

/QendraPress/