Janari i vitit 1999 ishte janari i dhimbjes dhe i vendosmërisë

Ishte janari në të cilin po lindte liria e Kosovës. Ai nisi me masakra, vrasje e tortura, por edhe me guxim, rezistencë, luftë dhe heroizëm të pashembullt.
Më 15 janar 1999, forcat kriminale serbe masakruan barbarisht 45 civilë shqiptarë në Reçak. Pas krimit, tentuan ta fshihnin të vërtetën, duke e paraqitur masakrën si një përplasje mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Ky mashtrim do të dështonte.
Ishin mediat ndërkombëtare dhe në veçanti misioni i OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, që e pa, e dëshmoi dhe e tha të vërtetën para botës. Pamjet e Reçakut tronditën ndërgjegjen ndërkombëtare dhe kjo masakër u shndërrua në pikën e kthesës që përshpejtoi ndërhyrjen e NATO-s kundër makinerisë gjenocidale serbe.
Derisa në Reçak kryhej një nga krimet më të tmerrshme kundër civilëve dhe viktimat ende nuk ishin lejuar të varroseshin, vetëm gjashtë ditë më vonë forcat serbe u rikthyen në Prekaz, duke synuar shkatërrimin e bërthamës së organizimit çlirimtar. Pas Reçakut pasuan masakra të tjera, beteja të përgjakshme, shpërngulje masive, maltretime, burgosje dhe vrasje, në një përpjekje të dëshpëruar për ta zhdukur një popull që kishte vendosur të jetonte i lirë.
Por gjaku i derdhur për liri, lufta çlirimtare dhe ndërhyrja vendimtare e NATO-s, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, bënë që Kosova të përjetojë lirinë që sot e gëzojmë.
Sot, me nder dhe krenari, kujtojmë dhe përulemi para sakrificës së martirëve të Reçakut, të cilët me gjakun e tyre u bënë themel i Lirisë dhe i Pavarësisë së Kosovës.
Lavdi të rënëve për Lirinë e Kosovës!
Shkruan; Bekim JASHARI