Fryma poetike e së mërkurës  me poeten;-Farie BISHA

Jeta ndodh…

—————-

ndërsa koha ikën,

brenda një segmenti të papërcaktuar.

Po si vallë?

Në kërkim ëndrrash,

si Don Kishoti me mullinjtë e erës,

në udhëkryqe drejtimi

të pazgjedhur.

Hijen e një lumturie të hershme ndjekim,

si të ishte një kujtesë e së vërtetës.

Aty-këtu skemat rikthehen,

jo si ndëshkim,

por si pyetje.

Ndodh të rrotullohemi në mjegull.

Vuajtja

bëhet e njohur,

dhe e njohura na qetëson.

Ekziston një cikël, natyrisht.

Jo si fat,

por si zgjedhje:

duke kërkuar një tjetër formë,

në spirale lartësie,

të një tjetër dimensioni,

në koordinatat e Zeusit…

/QendraPress/