Çaste poetike me poeten:-Elvira ZENELI

MAGJI

———————

Ti je magji…

Përqark peme,

Cdo degëz e veçantë

Do të thotë “depërtim,”

Në rrathët magjikë,

Mbi bisqet majuce,

Dielli shkëlqen me rrezëllim.

Ti je magji…

Me zemër të dehur,

Me qafên e butë si mjelmë,

Mbështjellur me bukuri,

Valëvitesh si një sirenë

Mes hapësirave,

Mbyllesh në vetvete si një fshikëz,

Ku vlojnë ëndrrat përvëluese…

Ti je magji…

E kthjellët mes muzgjeve,

Mëngjeset kthehen në përjetësi,

Cdo gjë është e kaltër…

Rrezet krehin kurmin tënd,

Magji…!

Ti je magji,

Toka nën këmbët e tua frymon,

Era si harpë me tela fillon akordohet,

Një këngë zgjon,

Këngën e shqetësuar,

Ndërsa ti…

Ti ecën,

Troket fluturimthi,

E shenjtëruar.

Ti je magji…

Me emrin në cepin e buzës tënde,

Me gjëmimin e betejës në shpirtin tënd,

Me psherëtimat e kopështit të lulëzuar,

Me kurmin magjepës,

Ndërsa ti…

E gjallëruar,

Me vështrimin e sorkadhes zbukuruar.

Ti je magji…

Si një vocërrake prek sendet përreth,

Me dhimbje të ëmbël,

E dehur ecën…

Si mbi livadhishte të pasosur,

E brishtë,

E amshuar,

Në rrugën tënde të yjëzuar,

Si një magji…

/QendraPress/