Çaste poetike me poeten:-Manushaqe Hoxha LAÇI

Kur gruaja hesht

—————————–

Kur një grua pushon së dashuruari

Nuk bërtet, nuk mbyll dyer me zhurmë

Nuk thotë “mjaft” me buzë që dridhen

Por largohet…në heshtje

Si hëna kur fshihet pas reve të natës

Fillon të harrojë aromën e zërit tënd

Ndalon së pyeturi nëse do kthehesh vonë

Nuk kërkon më shpjegime për mungesat

Sepse ka mësuar të mos presë

Prej një njeriu që s’kupton sa fort i dhemb heshtja

Gruaja duron…e duron gjatë

Mban peshën e zhgënjimit si shall në shpatull

Numëron gabimet e tua në heshtje

Si lot që rrjedhin pa i parë njeri

Dije që nuk ikën menjëherë

Pasi të do përtej çdo arsyeje

Por kur shpirti i saj mbushet me boshësi

Kur durimi i tretet si kripa në ujë

Atëherë ajo nuk kthehet më

Nuk ka rrugë që e sjell pas

As fjalë, as premtime, as pendesë

Sepse kur një grua pushon së dashuruari

Ajo nuk ka zemër më për ty

Vetëm kujtime që s’kanë më zë

/QendraPress/