Çaste poetike me poeten:-Vjollca ALIAJ

Vogëlushi me sy të gjelbër
————————————–
Ndjek derën e autobusit, lëviz ngadalë.
Aty kultura shtyhet me bërryla si njerëzit.
Një vend për t’u ulur klithet fitore:
“Eureka!”, “Eureka!” më në fund…
Nga dritarja e hapur brymë yjesh kapërdihen,
si drapër argjendi, hëna e fillimshkurtit.
Një zë fëmije, në sfond të ajrit, i huaj:
— Pesëqind lekë, pesëqind lekë më jep… Të lutem!
Oh, vogëlush me sy të gjelbër!
Vështrimi lart, sikur parajsën kërkon.
Dritë e tyre, një ylber i çuditshëm;
e nderur dora si heje akulli shpon.
— E paska rritur kërkesën! — pëshpërisin.
— Nuk lyp për bukë. E shfrytëzojnë — shton dikush.
Por buzkat e vogla, plasaritur nga ftohma:
Faleminderit! — thonë. Faleminderit shumë!
Ndalesa e radhës, një zë çirret:
— Jashtë! Zbrit, më mos të të shoh!
Në vend të përgjigjes, vetëm pika loti;
qielli i mbrëmjes kryeqytetin përgjon.
/QendraPress/