Kritikë letrare : Erotika mistike në poezinë e Rreshpjes /Shkruan :-Antigonë Bytyçi

Mendimin e mirëfilltë dhe të qenësishëm për poezinë, Frederik Rreshpja e jep po përmes poezisë. Ai përftoi një poezi burimore dhe të mëvetësishme, fryt i një bote të pasur shpirtërore dhe i një përfytyrimi të parëndomtë.
Rreshpja përmbysi shumëçka nga rëndomësia e krijimit dhe e realitetit konkret: përmbysi figuracionin dhe kuptimësinë parësore të fjalës.
Poezia e Rreshpjes gjakon sa shpalimin e së fshehtës, së panjohurës ose së mundshmes aq dhe shndërrimin në të. Ai e ka thyer parimin se mund të ndikohet në njeriun për të mirë vetëm përmes shembullit të mirë.
Njëmendësia konkrete, dhuna dhe pësimet e vijueshme, ia zunë frymën poetit Rreshpja, ia prishën drejtpeshimin e veprimit e të menduarit dhe ai përmes poezisë iu kundërvë gjithë kësaj; përmes artit të fjalës kërkoi dhe e krijoi një realitet të lirë, një realitet artistik si katarsë shpirtërore me të cilën edhe ngushëllohet, edhe mund të vihet në komunikim dhe të ndikohet prej tij. Atë që i mungon poetit në jetën e përditshme, e krijon, si mbijetim, përmes përfytyrimit dhe tablove poetike.
Kështu, duke qenë i zhgënjyer me kohën, me veten, me idealin e tij të pamundur dashuror jetësor por jo edhe poetik, Rreshpja nis një jetë asketike, një tëhuajsim të plotë social dhe fillon të ketë një kahje tjetër jetësore. Të jetojë në mishërim të plotë me perënditë, si nën mburojën e një lutjeje, të një amaneti, të një vajtimi a të një nostalgjie drithëruese.
Zëri unik i poetit vjen nga një përsëritje jo monotone e linjës tematike dhelpërake, disi i lodhur, i bjerrë. Qenia e tij është si në të perënduar, duke krijuar kështu një ndjesi të pikëlluar, në të cilën krahas zërit të poetit shkrihen edhe zërat ndihmës të natyrës për të forcuar motivin qendror. Erotika e tij poetike shkakton një trazim emocional të papërsëritshëm në letërsinë shqipe. Vargu i tij të përcjell një gjendje ankthi e gati shokimi për gjërat e humbura, nostalgjike e pa kthim. Elemente kyçë të erotikës së tij poetike bëhen: trëndafili, rrufeja, mermeri, Perënditë, vjeshta, hëna, ciganët, shpata, klithma, format e shiut dhe të errësirës, reflekset e diellit që po shuhet, yjet, avionët etj.
Duke qenë e tillë, poetika rreshpjane i përcjellë lexuesit një pikëllim e dhembje, po ashtu edhe fizike.
“I nëmuri me hënë dhe me art, i braktisur në jetë dhe në letërsi, i huaj dhe jashtë kohe, në një botë pa shpirt dhe pa dashuri, Rreshpja antikonformist nga natyra, skandaloz dhe i lirë, vjen si biri i ajrit në ditën e parë të botës.”[1]
Rreshpja e asocionon dashurinë me Perëndinë, në dashuri gjithmonë përmend diçka hyjnore. E idealizon dikë kaq shumë sepse është krejt vetëm dhe i vetmuar në Tokë dhe kërkon diçka përtej. Shpesh karakteristikë e ndjesive intime e sentimentale, trishtimi i vetmisë dhe gjendja e papërcaktueshme përballë vdekjes. Fryma krijuese dhe stili mistik i erotikës janë të dallueshme.
Jeta e tij e brishtë, e pasigurt dhe pa stabilitet e ekuilibër të brendshëm, ka ndikuar pa dyshim edhe në ndjeshmërinë e poezisë. Ai është poeti i tokës dhe i qiellit, i hënës dhe elementeve të tjera që përdoren si simbole jo lehtësisht të kuptueshme e të shpjegueshme.
“Duket sikur është derdhur në poezinë e tij tërë pikëllimi i bukur i planetit, gjithë verbimet e bronzit të shirave, gjithë argjendet e peisazheve që ndrijnë dhe rëndojnë me hir legjende”[2].
Le t’i shohim disa shembuj të poezive :
Por ti nuk erdhe. Shumë shira
Rrodhën mbi sytë e mi që u tretën’
Tani herë pas here dal e pres nën qiellin e këngëve
Si statuja e Pritjes gdhendur në një mermer të bardhë
fjalësh.
Ose “Vetëm tani që u sosën stinët, e kam kuptuar se dashuria ime s’të sjellë në këtë botë/ Megjithatë, çdo ditë ngre ura e rrugë.”, “Kështu çdo natë pres ty si skllav/ rri e vështroj yjet si ngrejnë statuja/ Mbi pirgjet e kështjellave që vizatojnë errësirën.”, “Eja ti, tërë dritë si dashuria,/ Hidh ngjyra mbi lulet,/ Vër rregull mbi peizazhet e botës!”, “Nëse nuk vjen/ Do të tretem nëpër kështjellat e ftohta, /Vizatuar brutalisht nga nata.”
“Rreshpja, si poet gjithmonë i kthehet vetvetes. Kështu ndodh edhe kur ai bën objekt trajtimi të dashurën, dashurinë; ai nuk e pret ta takojë atë te kroi, në ndonjë shesh ose rrugë, po buzë një reje; atje ku ai ka përftuar realitetin artistik, subjektiv; nga aty mund të vërejë më mirë të mirën dhe të keqen që ndodh brenda tij; si rrëzohen (jo bien), shirat, ylberet, yjet. Ai e di se e dashura e tij, dashuria, është ose duhet të jetë prapa një mjegulle, aty ku s’ka dritë, ku të fshehtat janë më të mundshme, më të veçanta dhe më të papritura. E dashura e tij fshihet pas shirave (të botës së tij të brendshme), një varg i pazakonshëm, kuptimisht i pafund sado që të përpiqemi të depërtojmë në shtresat kuptimore të mundshme të tij, prapëseprapë do të mbesë shumëçka pa u zbuluar për arsye se kuptimet e këtij testi poetik janë të paskajshme., të pambarim.”[3]
Frederik Rreshpja, duke qenë përtej kohës së vet, ka qenë edhe përtej jetës private, duke qenë “brenda fatit”, ka qenë përtej fatit të tij. Megjithatë dritën e ka thirrur edhe nga frëngjitë e qelive, edhe nga thellësia e dherave të natës.
Rreshpja, fatkeqësisht jo shumë i rrekur dhe i studiuar ka shkruar me rimat e lirikave, me vibrimet më të bukura e më të buta që mund të ketë poeti dhe pavarësisht injorancës për ta njohur, ai hyri në botën e amshimit si njëri ndër poetët më të mëdhenj lirikë që ka Shqipëria.
Madje ai është cilësuar ndër poetët që krijoi modelin e poetit që nuk ndot poezinë me plehrat e përditshmërisë politike, qoftë në diktaturë qoftë në liri.[4]
Si përfundim, Frederik Rreshpja mund të lexohet përherë, sidomos nga lexuesi me përvojë, nga lexuesi që kërkon shumë më tepër prej një teksti sesa thjesht një mendim dhe kumt të rëndomtë.
[1] Pasqyra e të rrefyemit, Viola Isufaj “Alkimia subtile e Frederik Rreshpjes”,Botimi i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare, “Pjetër Budi”, viti IV, nr.8, 2018.
[2] Po aty.
[3] Anton Nikë Berisha,” Imazhi poetik si qenësi e poezisë, e komunikimit dhe e ndikimit artistik”, Pasqyra e të rrëfyemit, Botimi i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare, “Pjetër Budi”, viti IV, nr 8, 2018.
[4] Frederik Rreshpja, Duke kërkuar Itakën, Princi, Tiranë, 2016, f.373.
—————
[1] Pasqyra e të rrefyemit, Viola Isufaj “Alkimia subtile e Frederik Rreshpjes”,Botimi i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare, “Pjetër Budi”, viti IV, nr.8, 2018.
[1] Po aty.
/QendraPress/