Çaste poetike me poeten:-Kumrie Avdyl SHALA

TI QË NA DHE DRITË

——————————

Ti që na dhe udhë e na dhe dritë,

me forcën dhe guximin e shpirtit tënd,

na mësove dashurinë e heshtur,

atë që nuk uluret,

por digjet si flakë e shenjtë në zemër.

Dashurinë për atdheun e mbajte si amanet,

një dritë që nuk shuhet në kohë;

që te zgjoje shpirtra të përgjumur,

si pranvera që zgjon tokën

pas dimrave të gjatë e të ashpër.

Kur Shqipëria ishte lodhur

nën hijet e egra të harresës,

ti, Naim, ia hape sytë

dhe i fale zërin e artë të gjuhës,

që sot kumbon si këngë e përjetësie.

Nuk e deshe tokën me epsh,

por me mall të shenjtë besimi,

Ashtu siç duhet nëna,

siç duhet drita,

siç duhet Zoti në zemrën e njeriut.

Nga errësira na nxore drejt rilindjes,

na mësove shkrimin dhe mendimin e lirë;

fjala jote u bë urë e pavdekshme

midis shpirtit njerëzor

dhe përjetësisë.

Sot ne ecim në gjurmët e dritës sate,

me dijen si pishtar

dhe ballin krenar drejt së ardhmes;

E flakën që ndeze dikur

ende ndriçon në zemrën e çdo shqiptari.

I përveçmi ynë, Naim Frashëri,

ti nuk je vetëm emër i gdhendur në gur,

ti je frymë që flet,

je gjuhë që jeton,

je dritë që nuk njeh perëndim kurrë.

/QendraPress/