Çaste poetike me poeten;-Natyra MAVRAJ

Më lexo pa zë!
—————————
…Dhe nëse një ditë më gjen të heshtur,
mos mendo se jam ftohur e jam zbehur,
jam veç duke pritur të më lexosh pa zë.
Nëse sytë e mi duken larg,
afrohu…
aty fshihet frika ime për të mos të humbur.
Unë nuk kërkoj kështjella e as përralla,
veç një dorë që nuk lëshohet kur errësohet dita.
E dy duar që ta përqafojnë shpirtin,
një zemër që nuk lodhet duke më zgjedhur,
edhe kur jam e vështirë për t’u kuptuar.
As kur nuk i flas e as kur nuk e dëgjoj!
Jo se nuk dua!
Por ndonjëherë, duke u munduar të ruaj,
preferoj të jem e vetmuar.
Dua të jem vendi ku kthehesh pa u ndjerë fajtor,
dhe arsyeja pse nuk ndihesh kurrë vetëm.
Prandaj më duaj…
jo veç kur jam dritë,
por edhe kur bëhem hije e vetes sime.
Kur jam borë e kur jam shi!
Më duaj në heshtjet që s’i shpjegoj dot,
në lotët që i fsheh me buzëqeshje,
në frikën që kam se mos një ditë zgjohem
dhe nuk jam më zgjedhja jote.
Sepse unë…
nuk po kërkoj një dashuri të madhe për botën,
por një dashuri që të jetë botë për mua.
Dhe nëse ende po më lexon deri këtu,
eja më pranë… mos rri aq larg,
sepse zemra ime nuk di të kërkojë ndryshe,
veç duke të dashur më shumë çdo ditë
/QendraPress/