Çaste poetike me poetin:-Hekuran HALILI

Fustanella bëri vallen,

apo vallja fustanellën?!

( Në kujtim të Taip Madanit)

—————————————

Fustanella bëri vallen,

apo vallja fustanellën,

kërcimtar i bukur djalë,

që e bën të heshtë dhe erën?

Kur shpalose njëqind palat,

dashuria ngriti velën,

princ i valles Osman Taka,

në valle nxore princeshën.

Një krehër nga gjiri nxori,

i florinjtë, sa verboi diellin,

frap, ja bëri fustanella ,

dhe reja mbuloi shpirtin.

Këmba më s’i shkeli dhenë,

me duar u mbajt nga ylli,

kush kreh baluken e zezë,

e kreh krëhëri , apo gjiri…?!

Pastaj, ra si hark ylberi,

njerëzia flakë u ndez,

shaminë shpalosi princesha,

nis një valle që të hedhë.

Mbi ylber duke bërë naze,

duke lojtur mbi ylberë,

me kadale vallen o,

me kadale moj syzezë.

Fustanell’ e bardhë e trimit,

e princeshës si pranverë,

fustanella bëri vallen,

apo vallja fustanellën….?!

/QendraPress/