Çaste poetike me poeten:- Margarita Llapushi ZENELI

Nuk kam kohë të urrej
———————————–
Nuk kam kohë të urrej,
se dashuria ma merr kohën
si buka duart,
si uji etjen
pa zhurmë, pa justifikime.
Mirësia më vonon çdo ditë,
më ndal te njerëzit e bukur,
ata që flasin pak
dhe bëjnë shumë,
dhe urrejtja mbetet pas
si rrugë e pashkelur.
Ata që hedhin hije
nuk e dinë
sa peshë ka dielli
kur e mbart vetëm.
Koha ime është për dritën
që nuk të verbëron,
për zemrat që rrinë hapur
edhe kur lodhen.
Nuk kam kohë të urrej
jeta më kërkon të gjallë.
/QendraPress/