Çaste poetike me poeten;-Migel FLOR

365-ti…Agperëndimi
—————————–
Në natën e fundvitit
përcolla syrin e diellit
në buzë të mbrëmjes,
e humbur pas tij.
Qerpikët e tij ulen,
pijnë gjirin e detit,
derisa terri bie ngadalë
e hijet nisin vallen e zisë.
O njerëz të gjithësisë,
pse nuk dilni ta përcjellim
të vetmin e qiellit,
zotin tonë,
që për 365 ditë
shkon i lodhur për ne?
Po sikur të mos kthehej më,
ç’do bëheshim ne, frymorët?
Ne, miopët,
mosmirënjohësit ndaj dritës,
ndaj syrit tonë…
Ajo natë m’u duk
më e gjata në botë;
ankthin ma shtoi
vonesa e hënës.
Doli më në fund nga lindja,
e bardhë si kurrë më parë.
Ndoshta nga flirti me diellin
i kish ikur e bardha e syrit…
s’e di.
Por me këtë lozonjare
kam një ngjizje misterioze.
Teksa përcillja, e vetmuar, galaktikën,
më rizgjoi ylli i mëngjesit,
më i bukuri,
ai që lodron me zemrat.
Sa do doja të më merrte në gjirin e tij,
qoftë për një natë të vetme,
këtë natë të shenjtë
të 365 netëve pagane.
Dielli iku.
Hëna dhe ylli,
krah njëri-tjetrit në fluturimin e tyre.
Vesa lag…
e unë prapë e tharë.
Tej në horizont feksi agu;
rrezet e para u lanë mbi vesë
dhe mbi lotët e gëzimit tim.
Pak e nga pak doli Ai,
perandori qiellor,
dhe nisi udhëtimin e përhershëm.
Disi i vrenjtur,
herë-herë fshihej pas reve;
ai skuqej,
se vetëm unë
e kisha përcjellë
të vetmin e botës.
O njerëz,
o zotër të dheut,
dilni natën e fundvitit
dhe përcillni padronin,
se qielli ka më pak yje
se miliarda sy
që ka rruzulli tokësor.
Dilni,
se ylberi
na bëhet kurorë.
/QendraPress/