Çaste poetike me poeten;-Albina CEKA

LUTJET E NËNËS
—————————–
Shikimin e ngre drejt hënës,
si të kërkoj një përgjigje nga drita.
Në heshtje, fryma ime bëhet tingull,
një këngë e lehtë që s’ka fjalë,
veç dridhje nën qepallat e natës.
Çdo tingull bëhet rreze,
një perlë që digjet ngadalë
në pentagramin e lutjes,
ku shpirti i nënës
dërgon mesazhe që vetëm qielli i lexon.
Në këtë botë të ngrirë nga frika,
ku dashuria digjet nën borë,
njeriu endet me shpresë të lodhur,
duke kërkuar ngrohtësi në ëndrra.
Lutjet e nënës kthehen rreze,
shkrijnë heshtjen,
shpëlajnë ajrin e lodhur,
dhe shpresa ajo që dukej e vdekur,
frymon sërish, lehtë… shumë lehtë.
– Drita
Në duart e saj rrinte agimi,
si një zog i frikësuar që mësohej me dritën.
Ajo lëkunte errësirën me frymë,
çdo frymë kthehej rifillim për boten.
Zëri i saj nuk ishte vetëm zë,
ishte frymëmarrje e tokës,
jehonë, piskamë që i fliste qiellit.
Çdo tingull ishte dridhje në zemër,
një urdhër i butë për të shpëtuar një emër.
Në pëllëmbët e saj lindte jeta,
në gjunjë rrinte shpresa,
në sytë e saj, një hënë e re,
e lindur nga dashuria dhe dhembja.
Në fillim ishte vetëm drita,
ajo e sigurt kishte emrin e saj:
Ajo quhej nënë.
/QendraPress/