Fryma poetike e së dielës me poeten;-Valbona R. HADRI

Lutje për të mos u fikur
—————————–
E saktë
Ke hyrë thellë brenda meje
Aty ku fjalët humbin nënkuptimin,
por nënkuptohen.
Areali im është një pasqyrë e mjegullt,
Një dritë që s’ka frikë nga errësira.
Kam vetëm një lutje:
Mos e lejo plakjen të vegjetojë brenda meje.
Unë jam një ëndërr e varur në gozhda kujtimesh.
Pleqëria ime
është një zjarr pa flakë
që e ngroh vetëm hiri.
Ata që i kanë gjërat në rregull
janë të vrarë nga pritjet.
Unë kam mbetur këtu,
në një stacion të harruar,
me autobusë të mbushur prej shpresash të mardhura.
Të falem, ringjallje,
që çdo çast më jep frymë
dhe më nxit të vazhdoj.
/QendraPress/