Fryma poetike e së mërkurës me poeten;- Margarita Llapushi ZENELI

Gruaja që bëhet stinë
———————————-
Mos u dashuro pas një gruaje
që zgjohet me diellin në sy
dhe fle me hënën në kraharor.
Mos u dashuro pas një gruaje
që e njeh vetminë si mike të vjetër
dhe nuk trembet nga heshtja,
sepse në heshtje ajo lind botë.
Mos u dashuro pas një gruaje
që lexon yjet si libra të vjetër
dhe gjen në to emrin tënd
të shkruar me zjarr.
Mos u dashuro pas një gruaje
që qesh si pranverë e qan si vjeshtë,
që puth si flakë
dhe hesht si akullnajë.
Mos u dashuro pas një gruaje
që rri përballë një tabloje
derisa ngjyrat t’i hyjnë nën lëkurë,
që s’mund të marrë frymë pa muzikë,
sepse notat i rrjedhin nëpër vena si gjak i dytë.
Mos u dashuro pas një gruaje
rebele si dallgë,
e kthjellët si agim,
e hareshme si verë e papritur,
e rrezikshme si e vërteta.
Mos u dashuro pas një gruaje
që e kthen dhimbjen në art,
që i mbjell plagët si lule të egra
dhe i ujit me këngë.
Sepse nëse dashurohesh me një të tillë,
ajo nuk do të jetë thjesht grua,
ajo do të bëhet stinë.
Dhe stinët nuk i harron.
Ato kthehen.
Edhe kur largohen,
lënë erën e tyre në lëkurën tënde.
Dhe ti,
edhe nëse shpëton,
edhe nëse ikën,
një grua e tillë
nuk është dashuri që kalon,
është zjarr që të mëson si të digjesh
pa u shuar kurrë.
/QendraPress/