Çaste poetike me poeten:-Shqipe BYTYQI

Zëri i Adem Demaçit

(Në 90 vjetorin e lindjes)

———————————–

Mos më quani hero

hero quhet ai që vdes shpejt

unë nuk pata atë fat

mua më lanë gjallë

të numëroj ditët

E dini ç’është burgu

është koha që nuk ecën

ajo ta ha trurin

ajo ta shuan zërin

Dhe çdo mëngjes,thua

ia vlen, përjetësisht ia vlen

Liria nuk është monedhë

nuk është dekor

as parzmore

ajo është borxh

që kush e shkel

di t’i kthehet n’mallkim

E tha me zë të thatë

si gur që fërkohet me gur

dhe iku…

iku por u kthye në ndërgjegje

në atë gjënë e bezdisshme

që të rri pas shpine

sa herë bën pazar me të keqen

/QendraPress/