Fryma poetike e së dielës me poetin;-Refki RESHITAJ

MONOLOG I GJYSHIT ME NIPIN

——————————————

Keq, boll keq mor bir

Kemi pritë, e kemi pas qef shumë ma mirë

Një shekull i pritëm këto ditë

E çfarë po ndodh me ne,asht për t’u habitë ?!

E kishim të vështirë, në skamje e varfëni

Rrugëve të botës, e shpesh edhe shërbëtorë nëpër Serbi

Sa shumë kanë vuajtur baballarët tanë

Prej torturave nëpër burgje edhe jetën e kanë dhanë

Por, gjithmonë JO robërisë i kanë thanë !

Dhe erdhi koha, që me armë në dorë

Nga toka jonë, armikun me e shporrë

Besa… edhe të fortit shumë na ndihmun

Derisa agresorin e përzumë !

Por, tash or bir ç’po ndodhë me ne

Kaq urrejtje mes veti pse, pseee… ?!

Dikush milionerë me pasuni

E shumë të tjerë, deri në ekstremë varfëni ?!

Me meritë… edhe pavarësinë e fitum

Por, a do mund e mbajmë, s’ po e di as unë ?!

Këto përçarje e inate ku po na çojnë ?

Edhe dëshmorët në varre po na mallkojnë !

Prandaj, ndaluni dhe vëni gishtin në kokë

Ku erdhëm e ku do të shkojmë dot

Lidhni besë, si n’ kohën e Skënderbeut

Se asgjë s’ ka më me vleftë, se sa liria e Atdheut !

/QendraPress/