Çaste poetike me poetin;-Ahmet OSMANI

KUR DRITA NUK MJAFTON

———————————-

fjalët erdhën të qeta

si mashtrues të qetë

që dinë rrugën drejt teje

u ulën pranë

pa kërkuar leje

dhe folën butë

derisa u bëre strehë për to

madje

u hape si dritare në mëngjes

jo nga padija

por nga zgjedhja

sepse ti

nuk je prej atyre

që mbyllen

pastaj

ikën pa zhurmë

lanë pas

një karrige bosh

dhe disa “pse” që s’flenë kurrë

ti mbetesh mes tyre

mes asaj që u tha

dhe asaj që s’u bë

jo për t’u thyer

por për të kuptuar

se jo çdo afrim është qëndrim

dhe jo çdo dritë është diell

ka ditë

kur edhe dielli del

por nuk ngroh

dhe ti

nuk je më i njëjti

që beson pa parë

por ai që sheh

edhe kur drita gënjen.

18 mars 2026,Uster

/QendraPress/