Çaste poetike me poeten:-Valbona HADRI

Lëri gjërat të rrjedhin
——————
Mos u lodh t’ia ndalësh lumit rrjedhën,
ai do ecë siç është mësuar.
Rrjedha e tij është vetë kjo jetë
që nuk njeh kurrë të mbaruar.
Asgjë nuk është e përjetshme,
gjithçka që lind një ditë, do të vdesë.
Ditët vdesin në çdo mbrëmje
dhe rilindin çdo mëngjes.
Njeriu i fortë është një copë shkëmb,
është mësuar të durojë.
Duron plagën që i dhëmb
dhe me Zotin flet me gojë.
Askush nuk e njeh të nesërmen,
të papriturat që vijnë.
E megjithatë ne ëndërrojmë
dhe shpërndajmë ngado mirësinë.
Se jeta kështu është ndërtuar,
lumë me valë që gurgullon.
Një pjesë ikin, një pjesë vijnë,
dikush qan, dikush gëzon.
O njeri, pranoje jetën,
jetoje sa ke mundësi.
Të gjithë lumenjtë derdhen në dete,
çdo fund ka fillim të ri.
/ QendraPress/