Çaste poetike me poeten;-Ana BALLIU

Ajo ndryshoi…
———————–
si gjethet që bien pa pyetur pemën,
si emri që shqiptohet ndryshe
në një gjuhë që s’e ndjen tënden.
Rrugët i mësoi përmendësh,
dritat, stinët, njerëzit që kalojnë pa u ndalur,
por zemra e saj mbeti një udhëtare
që kurrë nuk mbërriti.
Veshi rroba të reja,
foli fjalë të reja,
por në heshtje i këndonte vetes
me zërin e shtëpisë së vjetër.
Aty ku buka kishte aromë kujtimi,
dhe emri i saj tingëllonte si përkëdhelje,
jo si një tingull i huaj
në gojën e të tjerëve.
U përpoq të bëhej pjesë,
por rrënjët nuk mësohen të harrojnë,
ato thërrasin edhe kur toka ndryshon
dhe qielli duket i njëjtë.
Nuk ishte vendi i huaj që e lodhi,
as rrugët, as njerëzit
por ajo luftë e heshtur brenda saj,
mes asaj që u bë
dhe asaj që ishte.
Dhe kështu jetoi…
Mes dy botëve, pa i përkitur plotësisht asnjërës,
duke kuptuar se
Identiteti nuk është barrë,
por kurorë e artë për atë që e dallon shkëlqimin e saj .
/QendraPress/