Vdes prifti Dom Kelmend Spaqi, që gjatë luftës lajmëronte iftarin përmes kambanës së kishës

Ka vdekur prifti me prejardhje nga Spaçi i Mirditës në Shqipëri, Dom Kelmend Spaqi, famullitar në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë e miq të tij në rrjetin social Facebook.
Kush ishte Dom Kelmend Spaqi?
Prifti katolik, Dom Kelmend Spaqi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, kishte strehuar me qindra shqiptarë myslimanë në kishën e Shna Ndout.
“4 prilli, i kanë marrë 12 burra, edhe i kanë marrë me i pushkatu. Kam shku pas tyne, dhe iu kam pri, edhe ‘ose edhe mu, ose asnjë’, dhe i kam kthy në kishë. Edhe sot nuk mundem me besu se si kam mundur në atë kohë me i marrë serbit automatin prej dore e me i thanë, ti s’ki zemër me e vra kta”, është rrëfimi i vetë priftit Kelmend Spaqi për kohën e luftës, kur kishte strehuar qindra shqiptarë në kishën e tij.
“Ndaj tha ti besimtarët tu, le të rrinë në kishë, myslimanët jepani ne, e dimë ne çka bëjmë me ta. U thashë, ‘jo kurrë e përjetë, nuk i ndaj’. Nuk ka këtu as katolikë as myslimanë, ka njerëz të pafajshëm. Bëni çka të doni, kjo është nga unë”.
“Pushkatomni më së pari mu, e krejt stafin këtu, atëherë mundeni me i prek këta”, rrëfente Dom Kelmend Spaqi.
Siç kishte raportuar asokohe edhe media e madhe britanike, “Sky News”, ai nuk kishte lejuar që forcat paramilitare serbe të hynin në kishën e tij.
“Në dalje të Pejës sot, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme guximi. Prifti katolik lokal në fshatin Gllogjan u dha strehë qindra shqiptarëve myslimanë, teksa paramilitarët serbë po afroheshin. Duke i ruajtur ata brenda kishës së tij, Ati Kelmend Spaqi refuzoi t’i lejonte serbët të hynin te ta, duke thënë se të gjithë kanë një Zot. Përfundimisht, ai u desh t’i paguante paramilitarët për t’ua shpëtuar jetën atyre. ‘Jam njeri i Zotit’, na tha ai neve. ‘Kam mësuar ta dua armikun tim’”, raportonte atë kohë, “Sky News”.
Pos kësaj, Prifti Dom Kelmend Spaqi, në kohën e luftës, meqë nuk kishte xhami afër fshatit Gllogjan, ai bashkë me udhëheqësit tjerë të kishës, vendosën ta lajmërojnë iftarin dhe syfyrin me anë të kambanave të kishës.marrë nga/Gjokova sot/