Policia në Prizren vetëdijeson nxënësit për rreziqet e internetit

                   Në kuadër të zbatimit të “Strategjisë së Policimit në Bashkësi dhe të Udhëhequr nga Inteligjenca”, Policia sektoriale nga Stacioni Policor në Prizren, të hënën, ka zhvilluar ligjërata vetëdijësuese për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta në rajonin e Prizrenit, me fokus në masat e sigurisë dhe parandalimin e keqpërdorimit të internetit.

Aktiviteti është udhëhequr nga rreshteri Nexhat Morina, me qëllim informimin e nxënësve mbi rreziqet online, dukuritë negative dhe pasojat që mund të shkaktojë përdorimi i pakontrolluar i internetit. Në këto ligjërata kanë marrë pjesë edhe psikologët e shkollave, të cilët kanë kontribuar në diskutime me nxënësit.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj dite ligjërata është mbajtur në SHFMU “Pllanjane” në fshatin Pllanjan të Prizrenit, ku janë shpërndarë edhe broshura informuese me titull “Mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet e lojërave online”.

Policia njofton se aktiviteti do të vazhdojë edhe në shkolla të tjera të rajonit, me synim përfshirjen sa më të gjerë të nxënësve dhe rritjen e vetëdijes për sigurinë digjitale.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në promovimin e sigurisë publike dhe edukimin e brezave të rinj për një kulturë më të lartë shoqërore dhe digjitale