Aktivitete letrare në SHFMU” 26 Marsi” në Landovicë, me Berat Batiun.

Sot përjetuam një ditë të veçantë dhe frymëzuese për nxënësit tanë.
Me ftesën e mësueses Rilindë Bytyqi-Hoti, patëm nderin të mirëpresim z. Berat Batiun, mësues i gjuhës shqipe me një përvojë 43-vjeçare, recenzent, redaktor dhe drejtor i shtëpisë botuese “Fidani”. Vizita e tij u realizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë.
Nxënësit e pritën në bibliotekën e shkollës me shumë entuziazëm. Fillimisht, nxënësja Anea Thaçi bëri një prezantim të shkurtër dhe mbresëlënës për jetën dhe veprimtarinë e tij. Më pas, nxënësit zhvilluan një bashkëbisedim të hapur, duke i drejtuar pyetje interesante rreth leximit, shkrimit dhe përvojës së tij si mësues dhe shkrimtar.
Z. Berati u përgjigj me shumë dashamirësi dhe i frymëzoi nxënësit duke i inkurajuar që ta kenë librin mik të pandarë të jetës.
Gjatë takimit, ai premtoi se do të angazhohet që në shkollën tonë të vijë edhe Karvani Poetik i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, për të organizuar një orë letrare.
Një moment i veçantë ishte edhe dhurimi i librave për nxënësit. Z. Berati solli librin “Në vallen e alfabetit” të autorit Ilam Berisha, botim i shtëpisë botuese “Fidani”. Nxënësit e falënderuan për këtë dhuratë të çmuar dhe e nderuan takimin me recitime, lexim eseje dhe një kartolinë.
Në përfundim të këtij takimi, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për kontributin dhe kohën e kushtuar, shkolla jonë i ndau një mirënjohje z. Berat Batiut.
Jemi shumë mirënjohës për këtë vizitë të vlefshme, e cila la gjurmë të bukura në zemrat e nxënësve tanë dhe i afroi edhe më shumë me botën e librit./QendraPress/