Çaste poetike me poetin:-Llesh GJOKA

E KAM NDIER MUNGESËN TËNDE

—————————————–

Ka kohë që të shoh në hije.

Ku je, shpirti më thërret.

Edhe pse nëpër dritë përballë të kam

Sa të shoh më fshihesh si fletë.

Ka kohë, më vure në mendime:

A je gjysma që bukur më rri?!

Përse më duket vetja gërdallë?!

Aty ku më mungon ti.

S’dua që të më bëhesh mungesë.

Për ty kam ndezur ca qirinj në dhomë.

Thuaje një dëshirë të lutem.

Lulja e dashurisë sonë të lulëzojë.

Të mbushet ajo me petale

Të erëmojë pranverës sonë me diell.

Të ngjitemi në kodër, të bredhim në livadhe.

Nga e hëna në të diel.

E kam ndier mungesën tënde.

Aty ku shkel më vret vetmia.

Zgjas një dorë drejt teje në ajër

Thërras me piskamë: A do bëhesh e imja?!

/QendraPress/