Çaste poetike me poetin:-Jahe FIDA

Nata po më qan!

————————–

Më iku buzëqeshja sonte.

Mbrëmja këtë e kuptoi,

natës ia fshehu hënën

dhe qielli filloi të qajë…

Iku shkëlqimi, pllakosi errësira.

Gjumi u tremb nga shiu rrebesh.

S’po më pëlqen më as muzika

as frymëzimi më ardhka për dreq…!

S’dua t’ju rëndoj me peshën e natës,

as shpirtin t’ua pllakosë errësira.

Ju lutem, mos merrni ngarkesë,

do rikthehen ditët e mira…!

Nata m’u terr e po më qan qielli,

por dielli nesër sërisht do të vijë.

Në shpirt e zemër dritë do kem

edhe pse jashtë mund të bjerë shi…!

/QendraPress/