Çaste poetike me poeten;-Greta KADARE

Rutina kafshon

———————

Për fat të keq, sot nuk është e diel.

Është ditë e zakonshme, si çdo ditë.

Rutina më kafshon,

kafeja njësoj shijon,

e si gjithmonë,

diçka e thellë, sublime më mungon.

Nuk është e diel.

Do të më pëlqente të ishte.

Do mund të flija më shumë se zakonisht,

por edhe qetësinë do ta kafshoja si mish,

ndoshta pikonte pak dëshirë—

vetëm për një puthje të dëlirë.

Tharmi i zjarrit nuk më gjendet pranë,

nuk e desha për vete, por për zemrën—e di—hesht.

Të dëgjoj një ritëm

si ai i lavjerrësit të Fukoit.

Të kuptojmë se mund edhe të heshtim,

mund edhe të vdesim, por

universi pas nesh jeton njësoj,

me rutinën që edhe atë e mundon!

/QendraPress/