Togeri Bytyçi, sqaron rastin e personit që është gjetur pa shenja jete sot.

      Togeri Shaqir Bytyçi zëdhënës i Policisë Rajonale njofton se me datë 27.04.2026, rreth orës 06:50, Stacioni Policor në Prizren ka pranuar informatën se në rrugën “Repo Hekali” në Prizren gjendet një person pa shenja jete. Patrullat policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfirmuar se viktima, mashkull rreth 58 vjeçar (G. B. ), ishte pa shenja jete – gjë e konstatuar edhe nga mjeku kujdestar i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes. Sipas të dhënave fillestare, viktima kishte punuar si roje fizike gjatë natës në një kompani ndërtimi, ndërsa në mëngjes është gjetur pa shenja jete në vendin e tij të punës nga kolegu i tij i punës. Nga ekzaminimi i parë në trupin e viktimës dhe në objektin ku ai qëndronte nuk janë vërejtur shenja dhune. Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Sektorit të Hetimeve të Stacionit si dhe Sektorit Rajonal të Hetimeve. Po ashtu është kontaktuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për procedurat e mëtejme. sqaron Toger Shaqir Bytyqi Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun Drejtoria Rajonale e Policisë-Prizren