Fundjava poetike me poetin: Besnik Krasniqi
Atdheu im
Atdheu im si im atë
rri i kërrusur në mendime
kujton luftëtarët
që këtyre trojeve
linin eshtrat
për një lis në mal
për një kullotë në bjeshkë
për një bimë në fushë
për një shtëpi buzë lumit
për një sofër të shtruar “mikut”
për një besë dhënë armikut.
Të copëruan e gjymtuan atdheu im
nga të gjitha anët të sulmuan
ti qëndroje e luftoje
herë me armiq
herë me vetveten.
Armiqtë i kishe të shumtë
miqtë të paktë
kjo të kushtoi shumë
sepse derdhe gjakun lumë
për lirinë që gjakove
e kurrë të plotë s’e fitove.
Atdheu im si im atë
i urtë për mikun
i rreptë për armikun.