Fryma poetike e së dielës me :Anton QUNI

Fryma poetike e së dielës me :Anton QUNI

Amaneti i Lirisë

————————–

​Biri jem, Driton, ndigjoje këtë za,

Që vjen prej kreshtave ku koha ka mbetë,

Atje ku dielli puth malet e nalta,

Ku liria u shkru me gjak e me jetë.

​Unë isha aty, n’at ferrin e Koshares,

Ku rrufetë e luftës thyheshin mbi ne,

Krahas Agim Ramadanit, atij zemër-shkambit,

E Sali Çekajt, gur i lashtë mbi dhenë.

​Na ishim tre emna, po nji frymë e vetme,

Nën breshninë e plumbave, n’male e n’borë,

Atje ku kufini u shemb me goditje,

E andrrën e lirë e mbajtëm n’dorë.

​Sot, koha ka rrjedhë, rrudhat m’kanë mbulue,

Po amaneti mbetet si flakë n’altar,

Ajo lidhje e shejtë qi u kalit në luftë,

Nuk mundet me u shue, as me u lanë harruem.

​Prandaj, biri jem, ndigjoje këtë fjalë:

Siç ishim na vllazën në çdo hap e pritë,

Ashtu mbetsh ti lidhun, me besë e me zemër,

Me djemtë e heronjve qi na dhanë dritë.

​Me Jetonin e Agimit, me Hysenin e Saliut,

Vazhdoni atë rrugë, atë miqësi të rrallë,

Se gjaku i baballarëve që rrodhi bashkë,

Ju banë vllazën përjetë, n’këtë truall e ballë.

​Mbaje nalt nderin, mbaje nalt krenarinë,

Sikur flamuri që valon n’Koshare,

Jini bashkë n’gëzime, jini bashkë n’vështirësi,

Si drita e lirisë qi s’fiket n’përjetësi.

​Ky asht’ testamenti, ky asht urdhni i jem,

Që besa e maleve mos me pasë mbarim,

Driton, biri jem, ji roje e këtij emni,

Për veten, për shokët, e për atdheun tem.

Anton Quni

/QendraPress/