Çaste poetike me poeten;-Kumrie Avdyl SHALA

MOS U TREMB, JETË
——————————–
Jetë, po digjesh si dru në flakë,
po shkrihesh si akull në verë,
si bari i thatë po shuhesh,
e loti i syrit po soset.
Hapat po i shpejton,
si bishat në ndjekje për gjah.
Mos i numëro gurrat që shterojnë,
as fjalët që treten
në çaste të rreme gëzimi.
Por ti, jetë, mos u tremb!
Fjalët e pathëna kapërdi,
ruaji thellë në shpirt;
kur t’u vijë ora,
nxirri si zjarr.
Thuaji aty ku dhemb,
aty ku peshojnë.
Edhe kur sytë të jenë të përmbytur
e buzët të çara,
të përgjakura nga plagët
e murlaneve dhe erërave të egra,
qëndro.
Përballoje dhembjen, jetë,
me dhëmbë shtrënguar.
Mos lejo kurrë
që ogurzinjtë
ta thyejnë hapin.
/QendraPress/