Dje nw rrugët e Kosovës – 4 viktima dhe disa të lënduar brenda 24 orëve.

Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut që kanë ndodhur në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar në aksidente të ndryshme të raportuara nga Policia e Kosovës.
Një aksident me fatalitet ka ndodhur në fshatin Slivovë të Ferizajt, ku dy vetura janë përfshirë në përplasje dhe si pasojë një mashkull kosovar ka humbur jetën. Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet.
Një tjetër aksident tragjik është regjistruar në fshatin Dollc të Klinës, ku drejtuesi i një veture dyshohet se nga pakujdesia ka dalë jashtë rrugës, duke pësuar lëndime vdekjeprurëse.
Në këtë aksident janë lënduar edhe një femër dhe tre meshkuj kosovarë. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Po ashtu, në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë, një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti ku u përfshinë tri automjete.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim në QKUK, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për obduksion.
Ndërkaq, një tjetër viktimë e aksidenteve ka ndërruar jetë në QKUK pas disa ditësh trajtim mjekësor.
Bëhet fjalë për një person që ishte përfshirë në një aksident trafiku më 7 maj në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.
Përveç rasteve me fatalitet, policia ka raportuar edhe aksidente me lëndime dhe dëme materiale.
Në fshatin Prekallë të Istogut, një femër ka pësuar lëndime trupore pas përplasjes së dy veturave, ndërsa në rrugën “Hysen Rexhepi” në Prizren janë raportuar vetëm dëme materiale pas një aksidenti mes dy automjeteve.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër aksidente me fatalitet, 19 aksidente me persona të lënduar dhe 39 aksidente që kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Thuhet nga raportet e policisë së Kosovës