Fryma poetike e së dielës me poeten;-Luljeta F. LUBOVCI

ARTIN E BESNIKËRISË
——————————
Artin e besnikërisë e mësova nga dryni,
u thye nga stuhitë, por jo nga tradhtia.
Mbi plagët e hekurta mbajti heshtjen,
si zemra që ruan të shenjtën dashuri.
Çelësi i tij mbeti po ai,
nuk ndryshoi rrugë, as emër, as fjalë.
Edhe kur koha e sprovoi rëndë,
besën e mbajti si gur në ballë.
Kam parë njerëz që ndërrojnë ngjyra,
si gjethet që era i shpërndan larg.
Por besnikëria s’është petk për stinë,
është rrënjë që s’e shkul asnjë dallgë.
Prandaj nga dryni mora mësim,
se vlera nuk matet me forcë a pushtet.
Mund të thyhesh nga jeta një mijë herë,
por kurrë të mos ndryshosh shpirtin e vërtetë.
Se besa nuk blihet e nuk shitet,
ajo jeton në zemrën që rri drejt.
Si çelësi që gjen të njëjtën derë,
edhe besniku mbetet besnik përjetë.
/QendraPress/