Çaste poetike me poeten:- Emine Konushevci-DURMISHI

UNË JAM NËNA

——————————————

Që kur vetëm ëndërroja këtë emër,

e ndjeja në shpirt thirrjen e shenjtë.

Ende nuk quhesha nënë,

por zemra ime e njihte atë emër

si dritën më të bukur të jetës së vet

Tri herë e jetova mrekullinë,

tri herë zemra ime u nda në dashuri,

dhe prapë mbeti zemërplotë.

E mbushur me mall e lumturi

e njomur nga gëzimi i shpirtit,

sepse çdo frymë e imja

mori emrin: fëmijë.

Unë jam nëna

Kur përqafova fëmijët e mi,

pashë sa e vogël është bota

përballë buzëqeshjes së syve të tyre,

mburojë ndaj dhimbjes e nga lodhja

Netëve ua fal gjumin mendimeve,

dhe ditëve ua jep bekimin fëmijëve.

Barrën e mbaj si kurorë,

herë të rëndë,

por gjithmonë me dashuri

dhe me plotë krenari.

Unë jam nëna,

Edhe kur shpirti më lodhet,

lutjet nuk do të mungojnë kurrë,

sepse dashuria ime nuk njeh kufi.

Zemra ime ka vend për secilin fëmijë.

Edhe kur flokët më zbardhen nga koha,

ju do të mbeteni gjithmonë fëmijët e mi.

Dhe mos lejoni kurrë të mendoni

se nuk ju do askush në gjithësi,

sepse sa të ka frymë zemra e nënës,

dashuria për fëmijën nuk shteron kurrë.

Unë jam nëna…

/QendraPress/